AJO KA EMRIN TËND, BLIN!
Nuk e kuptoja
nga vinte ky zë i brishtë,
që çelte agimet e shpirtit tim,
më thërriste si era kur përkund trëndafilat butësishtë.
Erdhe me bukurinë e stinës së verës,
me krahë fluturash zbrite në prehrin tim,
duke lënë pas një shteg ylberësh,
Koha, për një çast, harroi të marrë frymë…
Melodia e zërit tënd më mbështjell me qetësinë e një nate të mbushur me yje,
më fton te burimi i ëndrrave të kahershme,
aty ku heshtja bëhet muzikë në çdo kënd,
Kur qan e kur qesh,me fal jetë,
yjet në qiell i ndezë.
Me fytyrën engjëllore
m’i përkëdhel flatrat e shpirtit,
si një simfoni notash që drithëron zemrën.
Më ngacmon e më ledhaton
me sytë si xhevahirë, sublimë në dritë,
e unë rilind, çdo ditë,
si lulja që zgjohet
pas vesës së mëngjesit.
Pastaj, pa e kuptuar,
më fale një emër tjetër,
atë që zemra ime
e kishte pritur prej kohësh.
Që nga ai çast,
vera nuk është më thjesht një stinë
Ajo ka emrin tënd, BLIN!
Bruksel, 04.Gusht.2026
TI QESHJE
Ti qeshje, kur këpusja trëndafila
I numëroje petalet si dëshira t’asaj nate
Unë thurja kurorë për flokun tënd
Vetëm ti bëja nder bukurisë sate.
Ti qeshje, kur natës i rrëfeja ëndrrën
Më flisje pse yjet kur bien vdesin
Nuri yt i ndritur peng e mbante hënën
Yjet mund të shuhen, dashuritë mbesin
Ti qeshje, me zërin si melodi ere,
Në vend të hënës ty të shihja shpesh
Fjalët tua i ruaja si margaritarë
Të mos shuhej dashuria mes nesh
Ti qeshje, sa herë belin ta pushtoja
Një gërshetë ti bezdiste ata sy
Fjalë nuk flisje, nga buzëqeshja e kuptoja
Ti shkëmb, e unë valë, prehesha tek ty.
TË JESH NËNË
Nga gëzimi fillon të qajë,
kur e kupton
se është me barrë.
Sytë i ndrijnë xixa
para se të bëhet nënë.
Mban foshnjën në xhep
si një kangur.
Me sytë e mëdhenj zgjon çdo agim,
muzgut i flet prajshëm.
E, kur të gjithë bëjnë gjumë,
nga balli, ledhatueshëm,
i zbret një vështrim.
Dashurinë e ka të pamatshme,
nuk do të dijë
sa do të marrë.
Është shpirt i shenjtëruar,
bekimet e saj të shoqërojnë
në ëndrra
dhe një jetë të tërë.
Tek ajo nuk zë vend
pikëllimi.
Të jesh nënë,
je shpirt i dëlirë.
GJUHA E PAQES
Zogj të trembur,
të shpërndarë si fara ere
mbi hartën e një bote të panjohur
Shkolla hap dritaret e zemrës,
mbledh në folenë e saj
yje të vegjël,
të rënë nga një qiell i largët
Kira nga Ukraina,
me blunë e detit në sy,
përtyp heshtjen,
derisa një fjalë e huaj
i çel si ylber.
Vajza nga Siria,
me një dridhje në buzë,
di vetëm një emër për veten
“Je suis Akacia”
Djaloshi nga Irani,
te porta e shkollës, në pritje,
në përqafimin me nënën e tij
i lutet kohës
të ndalë ikjen
Vajza nga Azia
dhe djali nga Moldavia,
si zogj shtegtarë
nga një breg në tjetrin,
me tinguj të brishtë
ndërtojnë ura
mbi detin e gjuhëve
Të gjithë kanë një arsye
në kërkim të paqes
Gëzimi i fëmijëve
është gjuha
që komunikon me gjithë botën!
NATË E DEHUR
rrinim ulur, unë dhe ti
buzë liqenit
nuk shkëmbenim asnjë fjalë
vështronim buzëmbrëmjen
që shtrihej si qilim i artë
hëna shpërtheu në buzëqeshje
ngase liqeni fjeti në sytë e saj
rrugët gjarpërore si gjerdane iu varën në qafë
e lisat si vetulla i rrinin në ball
yjet e ndezur përreth vallëzonin krenar,
për ëndrrat që nuk i linin me dhënë shpirt
shtigjeve të dashurisë iu dhuronin dritë
pëshpëritjet e natës së vonë
si një kor muzash
tingëllonin në shpirtin tonë
tani e kuptuampse rrinim në heshtje
natë e dehur na la pa fjalë.