SHEFIK ARIFI

Shefik Arifi

DO TI NGJAJË…

Unë do t’i ngjajë
Një zogu që në majë të pemës
Ku e zë nata fle
Dhe nëpër mëngjese zgjohet.

Unë do t’i ngjajë një bjeshke
Që me bardhësinë e ditëve
Mbulohet.

Unë do t’i ngjajë lules së parë të pranverës
Që t’ju thërrasë luleve të tjera të çelin.

Unë do ti vë vargjet në radhë
Të presin diellin.

Unë do t’i ngjajë gjithçkaje që ka të nesërmen brenda.

Edhe ecjes së një reje
Edhe tokës, edhe diellit, edhe gjakut nëpër deje.

 LIDH PLAGËT E ULLIRIT

E prenë një degë ulliri
Dhe unë, që s’isha mësuar me vdekje
Dhe Hëna që qëndronte mbi atë
Po hidhnim dy pika lot për ‘të

Me asnjë s’fola në atë natë të errët
Mbaj mend se s’më hapej goja as për të ngrënë darkë
E gjithë kjo, në fund të prillit

S’e mësuan dot hallin tim të tjerët
Veç më shihnin mua se si mësoja
Për të lidhur plagët e ullirit
Sepse unë, prerjet dhe plagët s’i duroja.  

DO VIJA  

Do vija dhe me dritën e hënës
Ashtu si vija me mall qëmoti
Të çmallem me vëndet ku kam qarë
Ku ende s’është tharë një pikë loti.
 
Dhe në fund të botës po të isha
Do vija të çmallesha me njerëzit nëpër ara
Edhe një pik gjakë në deje po të kisha
Do vija siç vijnë në prill dallëndyshet e para.

VENDLINDJES  

Sa herë që nga ti do të ndahesha
Për të qendruar në këto vende, tek ti
Do të gjeja një shkak që, te ti të mbahesha
Te syri dhe aroma do ngopesha me dashuri.
 
Përherë do t’lija një punë pa mbaruar
Do t’gjeja një shkak, çdo mëngjes
Te ti, vëndlindja ime e vogël
Te ti vendlindja ime, univers.

VËREJTJET E NËNËS

Në jetë më kanë bërë shumë vërejtje
Të brishta, të ftohta, si diell që s’ngroh
Vërejtjet e nënës ishin krejt ndryshe
S’më hiqeshin nga mendja për asnjë kohë.
 
Qysh i vogël dhe kur u bëra burrë
Më pëlqente vërejtja, më shumë se lëvdata
Vërejtjeve të nënës s’u ikën koha kurrë
Të gjitha vërejtjet e saj ishin të sakta.    

ËNDËRRA  

Këtë natë një ëndërr më sillet
Dhe s’më lë të bëj gjumë fare
Në dritare hëna si një zog më hidhet
Si dele manare  

Ç’ke moj ëndërr në këtë orë
Ç’lajm të bukur do më sjellësh?
Tek unë, tek unë, këtu në dhomë
Si një syth tek unë të çelësh.


VDIQËN DHE TË VDEKURIT

Ditën që iku dhe banori i fundit
Nga fshati që dikur ishte plotë jetë
Kjo ikje dhe tokën e tundi
Dhe qiellin dhe retë.

Tani veç të vdekurit mbetën
Për ata më s’ka kush të vajtojë
Dhe një lule për t’a po gjetën
Nuk ka kush t’jua çojë.

Ditën që iku dhe banori i fundit
Nga fshati që dikur ishte plotë jetë
Kjo ikje dhe tokën e tundi
Dhe qiellin dhe retë.


S’DI!…  

S’di për kë shkrova vjershën e parë
S’di për kë zemra si gonxhe shpërtheu?
Mbase për një vajzë që më ndenji pranë
Mbase për një vajzë që këngën time ndjeu.  

S’më kujtohet atë çast, çfarë fjale thirra
Veç patjetër një fjalë dashurie ka qenë
S’u ndamë si dy re që i kthejnë krahun njera – tjetrës
Por si dy të dashuruar që tek vetja njeri – tjetrin lenë.  

S’di çi bëri lulet bajamja që kish çelë!
Që në sytë e mi çeli më shumë
Një gjë e di mirë, që si nisi tutje me një erë
Por i la, i la ato përherë tek unë.  

GËRSHETAT
 
Ne rrinim larg si dy të ndarë
Që mbahen nëpër cepa të mëngës
Nga ty varej gërshet i bardhë
Nga lartë varej gërshet i hënës.  

Dhe krahasoja dy gërshetat e mëdha
Në atë mbrëmje në orë të vona
Gërsheti i hënës s’di ku ra
Gërshet jot varet akoma.  


DHOMA, QË ME DRITËN E HËNËS LAHEJ

Dhoma jonë atë natë
Te kundërmimi i aromës së fushës mbahej
Dritarja, oh dritarja, sa gjatë!Me dritë hëne lahej.
Dhe s’na bëhej që të ndaheshim aq lehtë.

Ti kthenim krahët njeri – tjetrit,
si të mos njiheshim fare
E, sa e bardhë m’u duk ajo natë!
Me dritëhënëzën në dritare.


EDHE NJË FJALË JOTJA…  

Ti ecën si dikur, si vajzë çapkëne
Me atë hapin e shtrirë si det i qetë
S’e kam ditur, s’e kam ditur ç’ke pas në mëndje
Por ca gjëra i merrja me mend vetë  

Për njeri – tjetrin qejfmbetje s’kemi patur
Ndaj, s’kemi arsye, njeri – tjetrit krahët t’ia kthejmë
Dhe hiret e tua gjithnjë t’i kam dashur
Dhe vetveten, nëpër ecjet do ta gjejmë  

Por, pa ty, s’e lashë, s’e lashë poezinë
Edhe pse mungesat gjithnjë kanë një të fshehtë
Se dhe stinët që janë stinë
S’kanë kuptim pa një të metë.
 
Sot, orët,minutat, kot do t’i humbisja
Dhe prezenca jote sado  t’më vlente
Një fjalë tënden, sa shumë do ta prisja
Dhe një fjalë jotja, në sa e sa kujtime do më kthente.





Të pëlqeu? Shpërndaje me miqtë

Shpërndaje në FacebookDërgoje në WhatsApp
Ende pa komente

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet.