BILALL M. MALIQI

BILALL M. MALIQI

S’JAM DËSHTAK

Nuk jam dështak
Pse nuk të gjeta
Nëpër labirinthin e fshehjes
Kur kujtesa rri karshi fytyrës tënde
Të buzëqeshur me pamje të hënës
Dështak nuk jam
Deri sa nuk rreshti së kërkuari
Aromën tënde
Nëpër Parnas të lule mirave
Ajo ende është nëpër shqisat
E mia të pangpoura
Pra, nuk jam dështak
Por kërkues i përjetshëm
I dashurisë së munguar
20.09.2026

NUK JE MELPOMENA

Nuk je Melpomena
Fshehur pas maskës tragjike
Që sillet e pështillet
Nëpër shuplakën e shëmtisë
Maska jote ra
Para spektatorëve të kohës
(Ata) të panë
Tek sillesh e pështillesh
Nëpër skenën e përçudnuar
Në rolin e viktimës së viktimizuar
Ti nuk je Melpomena
Me çizme skene
Je askushi
Përballë të hijeve të hutuara.
12.09.2026

SI ERATA

U fute në kopshtin e luluar
Sikur Erata
E kurorëzuar me kurora trëndafilash
Pahitur nëpër tinguj të kitarës antike
Me nota të moçme të nostalgjisë
Ç’ndjesi e thellë
Më mbërtheu tek dëgjoja
Këngëzimin tënd
Në akordim
Me cicërrima zogjsh krenarë
Shkrirë në frymë e zë
Nëpër laringunE ndjenjave të dashurisë.
10.09.2026

TË QETËT

Poshtë, shumë poshtë ranë të qetët
U ngritën si uraganë plangprishësit
Në mes tyre ngelet shpresa e veshur
me të zeza
Kah i shohin dritëzat e syve
Gllabërojnë me një të hapur të gojës
Të qetët s’mund të ngrihen
Kur mbi shpinat e tyre fishkëllen kamxhiku
Ata hapërojnë aty ku nuk hapërohet
Rrënojnë edhe atë që nuk rrënohet
Ngritja s’mund të ngrihet në breshëri fjalësh
Të thumbëta që shpojnë tejpërtej
Cipëzën e trashë dhe të hollë të durimit.
09.09.2026

PO TË PYETET LUFTA

Po të pyetet lufta
Katërshja do të ulej në fron
Në kokat e tyre
Do t’i shihnim
Kapelat e lirisë
Lufta po të pyetet
(Me nenet e saj)
Do të fliste
Me zë të ashpër
Para (pa)drejtësisë.
23.09.2026

RRËNJËT E KËQIA

Lëshuan rrënjët thellë
E fundi s’ju dihet
Ato nuk prekin askund
As nuk lidhen me asgjë
U përbiruan lehtësisht
Poshtë tokës së butë
Çuditërisht nuk prekën
Nëpër rrethore
Të mbretërisë së eshtrave
Se do t’i prenin ato
Me shpata të dryshkura
E trupat do t’ua rrëzonte
Tok me gjethet e zverdhura
Një erë e lehtë e rizgjimit.
06.09.2026

E KANË EMRIN GUXIM

Janë katër shtylla
(Që) mbajnë mbi supe
Një epokë
Shtrirë gjerësisë së lavdisë
Ato nuk bien dot
Asnjë tërmet apokaliptik
Nuk i rrënon
As rrufeja e zezë s’i shkatërron
Kanë rrënj që lidhen
Me shenjtëri
Veshur janë me trimëri
E kanë emrin Guxim
Që kohën e errët
E kthyen në shkëlqim.
05.09.2026

E POROSITA ERËN

Nga këtu
E porisita erën e lehtë
Të dërgoj ca freski mali
Mbështjellë me mallëngjim
Ty e munguara ime
Që rrallë më shfaqesh
Në ëndrrën e ëndërrt
Kjo erë le të përqafojë
Si dikur (unë) në motin e ikur
Me mal puthjesh të zjarrta
Mbështetur në murin
Qëndrestar të dashurisë

Restauran “Apollonia” Gjilan-Preshevë
25.07.2026

Të pëlqeu? Shpërndaje me miqtë

Shpërndaje në FacebookDërgoje në WhatsApp
Ende pa komente

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet.