GRISA NJË GJETHE
Grisa një gjethe nga pylli i mendimeve të mia
Por era e ndjenjave ma mori nga dora
E pashë të fluturonte nga një sirtar në tjetrin
Dhe zgjoi ëndrrat që flinin brenda tyre.
KUR TË VIJË PRANVERA
Kur të vijë pranvera
do çelin lule dhe brenda meje;
Atëherë do mbledh ca
dhe do i mbjell në zemra të thara…
FUSTANET E BORËS
Fustanet e borës
u përhapën mbi lule
Era u mësoi hapa të reja
Vallet e tyre mbushën lumin
Zemra e ngrirë i pati zili
Era e shtynte për në valle
por vetëm pas festës
ajo diti të shkrijë…