LIBRI POETIK I ARTJONIL PETRAJT nga Mark Simoni

Mark Simoni

LUNDERTARI ME ITAKEN BRENDA VETES

Sapo nis leximin e librit të Artjonil Petrajt, menjëherë e ndjen se autori është kalorës i brengave, dhimbjeve dhe mallit të fortë. Që, mbasi i jeton vetë me gjithë dimensionin e tyre, u jep pastaj krijimeve të tij atë hijeshi artistike dhe nur të bukur, me krejt sharmin e dashurisë si rrallë kush.
Poezitë e distancës, udhës së pafund, mallit të largët, dhimbjes së mungesës, këngës së pakënduar, lëngimeve të gjata, e përshkojnë tej e mbanë ndërgjegjen artistike të këtij libri, korpusin e madh të tij.
Nga kafazi i kraharorit të poetit duket se për çdo çast niset të fluturojë një pëllumb poste, që dërgon larg “letrat” për njerëzit e tij të dashur, për të cilët ndjen mall e brengë, dhimbje e dashuri, miklim dhe tundim njëkohësisht.
“Varka” e tij e udhës e ka përherë një sperancë të hedhur në brigjet e Vlorës, vendi nga ku nisen e kthehen sa herë, edhe dhimbja e tij e madhe dhe dashuria e tij e brishtë. Eshtë bash ai vend ku ndjenjat e tij kanë nevojë të mbështesin kokën e lodhur e të pushojnë pak. Dhe është pikërisht deti, abitati ku ai ndjehet më i sigurtë se askund tjetër. Petraj, si një lundërtar i sprovuar, si një Odise arketipal, (që ka brenda vetes Itakën e tij, të afërt e të largët njëkohësisht), nuk ndalet kurr në udhën e tij drejt Vlorës, këtij bregu të fatit dhe të dhimbjes së tij, këtij moli dashurie.
Artjonil Petraj ka një zhuritje dhe zjarrmi për vendin e tij, që i kthehet në një prush poetik, dhe që ia mban përherë të ndezur flakën brenda vetëdijes dhe ndërgjegjes poetike.
Ky poet është melankolik i dashurive, Artjonil Petraj na ngjanë shumë me një tel kitare që bie tavernave, na fanepset si një serenatë e kaherëshme që bredh rrugicave me kalldrëm, na përfytyrohet si një rrugëtar i vetmuar nate që endet s’dihet se ku. Poezitë e tij janë tej e mbanë me këtë lloj dashurie delikate dhe tunduese, mbushur me nostalgji e lëndime, plot frymëzim e art. Herë i brishtë e i përmallur, (ku ndjehet si një melodi butësia e shpirtit të tij) dhe herë të tjera poet i aventurës e çakërqejf, që dehet e lumturohet pikërisht nga dashuritë e forta.
Zëri i revoltës së A. Petrajt mbush jo rrallë kupën e qiellit, ndërsa klithja e tij trand e sukullon botën e mbrapshtë. Ai është edhe gishti që rri mbi plagët e shoqërisë, edhe gishti i akuzës që ngrihet si një gjyq hyjnor. Ky poet e ndjen Atdheun si një dhimbje krenare. Ai është sa zemërthyer dhe plot pezm prej derteve e halleve që i kanë rënë vendit të tij, aq dhe ngulmues që ta shohë atdheun më të mirë e më të bukur.
Tërë këtë hapësirë që na shpërfaqet para syve nga libri i Petrajt, na pasurohet dhe me një arqipelag ishujsh të vegjël plot tema të ndryshme, gjithë ngjyra e harlisje interesante. Këto tema e sajdisin lexuesin, e thërrasin brenda poezive, e përkëdhelin dhe e tundojnë me art, e gazmojnë me subjekte interesante e të veçanta.
Kur del në bregun tjetër të librit, (dhe mbyll kapakun e fundit të tij) ndjehesh mirë, mbushur me botën poetike që na ka dhuruar ky poet i talentuar.

(Kjo eshte parathenia ime per kete liber, botim i Shtepise Botuese MUZGU, qe del kete jave nga shtypi. Cdo liber i botuar tek MUZGU shoqerohet me parathenie, me dy artikuj ne gazetat me te shitura ne Shqiperi, dhe me nje publicitet free)

Të pëlqeu? Shpërndaje me miqtë

Shpërndaje në FacebookDërgoje në WhatsApp
Ende pa komente

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet.