1-Në cep të buzës tënde
Në cep të buzës tënde
Dua të frymoj
E të mbes,
Të të përqafoj
E të vdes,
E të ngre lartë pavdekësinë,
Me zjarrin tënd
E me hirin tim.
2-Eklips
Dimër, ftohtë,
Vetmi,
Ndaj
Dielli
Hënën e mori
Për ta ngrohur
Në gji.
3-Trishtimet e shirave
Qielli i mblodhi trishtimet
E shirave e u bë gri.
Ti nuk ishe.
Unë nga mërzitja
Me flatra shtegtari,
Mbi degë vetëtime
U ula të prisja ndër re,
Ndonëse e di;
Që frutat si vetëtima i ke
Prej flake e zjarri.
4-Pritja
Si copëz akulli
Ngriu prej erës së ankthit,
E dridhet
Me sytë diku qiellit
Nga do të vish ti,
Me avionin e mallit,
E veshur me tyl
Mjegullash e resh
Nëpër bardhësi.
5-Mjegull dashurie
Ç’më shtyn drejt teje?!
Ti si pemë s’lulëzon!
Si i goditur rrufeje,
Digjem
Kur pranë më kalon.
6-Pas kaq ditë e netësh
Pas kaq ditë e netësh
Nëpër rrugica
Mjegulle e nate,
Ia harrova Diellit fytyrën,
E Hënës sytë;
Disa yje që u shfaqën
Duke u djegur nga malli,
Mu dukën,
Si syri i ytë!
7-Kur ti fillon e flet
Kur ti fillon e flet,
Zëri yt pikon
Nga hojet qiellore
Si pikëz mjalti
Në gojën
E një të urituri,
E ndihem i ngopur
Si lisi
Me fishkëllimën
E ëmbël të erës.
8-Ikja jote
Zëri yt u tret,
Si mall i përlotur
Mbi mollëza
Faqesh,
E unë u bëra
Dhimbje,
Që s’hiqet nga sytë.
9-Hëna
Hëna shijon e qetë
Hapësirën e Qiellit,
E dashuruar
Me të
Në përjetësi,
E mundohet të gjej
Grimcëza
Të bukura dashurie
Dhe në zbrazëtinë e tij,
E të mbjellë
Në vazo yjesh
Lule dritë.
10-Kishëza ime
Kjo degëz e blertë ëndrre
Që tundet e lirë
Në shikimin tënd,
Është kishëza ime,
Ku unë bëj kryq,
Ndez qirinjtë e shprtrave,
E puthë ikonën
E syrit tënd!
11-Dashuria
O Zot!
Fytyrën tërë rrudha,
Si lëkurë peme!
Po sa dorë
Të butë,
Si gjethe të njomë!
12-Dritën e kometës tënde
Dritën e kometës tënde
U përpoqa
Ta ndaloja me duar,
Por, ajo,
E lehtë si erë,
Më kaloi
Ndër gishta
Për në qiej të tjerë.
Miltiadh Davidhi. Modena.