Nazim Hikmet

Nazim Hikmet

E dashura ime

E dashura ime më përcolli gjer në Brest
pastaj zbriti nga treni dhe mbeti në stacion,
pastaj u zvogëlua, u zvogëlua, u zvogëlua…
mbeti sa një kokërr gruri në kaltërsinë e pafund.
Pastaj vetëm shina treni më mbetën në sy.
Pastaj m’u duk sikur ajo më thërriste nga Polonia:
E unë s’mundesha t’i përgjigjesha dot.
Treni ikte sikur kurrë s’do të ndalej.
Mua m’u zu fryma nga mërzia.
Pastaj mbi tokën ranore ranë fluturza bore ,
Pastaj unë befas e kuptova, ajo më vështronte,
ajo më pyeste:-“Më harrove mua?
Më harrove vallë mua”
Pranvera shkonte nëpër qiell këmbëzbathur dhe përbaltur.
Pastaj yjet u ulën kaq poshtë,
u varën nëpër telat e telefonit.
Errësira fishkëllente mbi tren si rrebesh.
E dashura nën një shtyllë telefoni priste.
Zëmra i rrihte
tak! tak!
Sikur ta mbaja në krahët e mi.
Shtyllat e telefonit iknin dhe vinin
Ajo qëndronte në vend.
Treni ikte sikur kurrë s’do të ndalej
Mua m’u zu fryma nga malli.
Por befas e kuptova, Eh! Kur e kuptova: Unë udhëtoja
në një tren vitesh… të ardhshme,
me një këngë gazmore në buzë,
ndarë përgjithnjë
nga qytetet dhe gratë e dashura ,
duke mbartur dashurinë
si një plagë shekullore.
Ikim…
Për ku vallë?
Përse vallë?

Koncert në Fa- minor

numër 1 J.S. Bah.

Në mëngjesin e vjeshtës në vresht bëhet përsëritja e hardhive në rrënjë, e bistakëve në hardhi dhe e dritës
në kokrra .
Nata në shtëpinë e madhe është krejtësisht e bardhë,
drita përsëritet në çdo dritare.
Gjithë shirat që bien mbi tokë përsëriten mbi pemë, mbi det.. mbi duar, mbi sy, mbi fytyrë,
përsëriten pikat e shiut që përplasen mbi xhama.
Në mëngjesin e vjeshtës
bëhet përsëritja monotone e ditëve të mia,
të gjitha të njëllojta dhe krejtësisht të ndryshme.
Përsëritet thurja e trikos, përsëriten yjet në qiell,
përsëritet fjala “të dua!” në të gjitha gjuhët e botës.
Në çdo gjethe që lulëzon përsëritet pema,
dhe në çdo shtrat vdekjeje përsëritet dhimbja që ther.
Në mëngjesin e vjeshtës bëhet përsëritja e dëborës
herë lehtë -lehtë, herë flokë –flokë,
përsëritet dëbora që tymnohet si mjegull
dhe shpërndahet gjithandej prej shkulmeve të erës.
Përsëritja e borës mbulon rrugët.
Fëmijët në oborr luajnë me topa bore
Në oborr fëmijët me topa bore luajnë,
Një plakë e moshuar kalon në rrugë,
Në rrugë kalon një plakë e moshuar.
Dhe nata mbulon shtëpinë e bardhë
Në mëngjesin e vjeshtës përsëritet drita në dritare.
Përsëriten bistakët në kokrra rrushi,
Përsëriten kokrrat e rrushit në dritë.
Të ecim gjithmonë drejt drejtësisë dhe mirësisë,
Të luftojmë gjithmonë për të drejtën dhe ndershmërinë,
Të fitojmë gjithmonë mbi të drejtën dhe të vërtetën.
Dhe lotët e tua të heshtura dhe buzëqeshja jote,
dhe dënesat e tua, e dashura ime, përsëriten.
Përsëritet e qeshura jote
në dhëmbët e bardhë dhe të ndritshëm.
Në mëngjesin e vjeshtës, në vresht,
rresht më rresht përsëriten hardhitë përsëriten bistakët, kokrrat e rrushit në dritë, drita në zëmrën time…Dhe të mendosh, e dashur, çfarë mrekullie…
Dhe e papërsëritura përsëritet.

Njerëzimi i madh

Njerëzimi i madh…
Në anije udhëton lart në kuvertë,
në trena, në vagonët e klasit të tretë,
në rrugë ecën në këmbë,
njerëzimi i madh.
Të jetosh pa shpresë?
Nuk mundet!

Arra

(Përkthim i lirë)

Unë jam një arrë e madhe
në parkun Gjylhane
me det dhe me gjëmime resh,
jam arrë e krasitur,
me trupin gjithë plagë
që askush nuk më sheh,
e askush s’ më vë re.

Unë jam një arrë e madhe
në parkun Gjylhane,
Shihi fletët e mia,
si luspa gjithë shkëlqim,
Porsi shami mëndafshi më drithëron çdo gjeth,
këput një fletë, e dashur,
dhe fshiji sytë e bukur.

Unë qindra-mijëra fletë prej saj i mbaj në duar,
Tani ato më duken
si njëqindmijë sy,
me njëqindmijë sy
unë shoh i mrekulluar , Stambollin edhe ty.

Çdo fletë troket- troket,
si zëmra me topane,
përmes çdo flete shoh Stambollin edhe ty,
Unë jam një arrë e madhe
në parkun Gjylhane
dhe për çudi atje askush mua s’ më sheh…
As ti
dhe as policët.

Shqipëroi SULEJMAN MATO

Të pëlqeu? Shpërndaje me miqtë

Shpërndaje në FacebookDërgoje në WhatsApp
Ende pa komente

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet.