Xhemal Nezha

Xhemal Nezha

MUZIKË DHOME

Këto sende të pashpirta s’kanë zë të flasin,
Heshtin netëve si hesht dhe unë çdo natë,
Por shpesh thyejnë heshtjen nisin e kërcasin
Nga brejtja e molës, plot dhimbje, plot inat.

Diku në errësirë një insekt cri-cri nis e “këndon”,
Mizat bëjnë gjeometri në tavanin e përhitur,
Mushkonjat me ngulm fytyrën time kërkojnë,
Me një tingull të shurdhët si violinë e prishur.

Nga xhami i thyer era tund perdet e grisura,
Herë-herë nuk përton, më nis një fishëkëllimë,
Që përziehet me zukatjen e mizave kokëkrisura,
Dhe tingullin e pandalur të mushkonjës-vilolinë.

Si intermexo vjen nga jashtë një kuisje qeni,
Siç duket,ai shpreh dhimbjen e vetmisë së tij,
Njëlloj si ai i vetmuar dua të klith edhe unë,
Por s’dua të ndal orkestrën,ndaj rri në qetësi.

Heshtin sendet e pashpirta,ashtu siç hesht unë,
Por jo kërcitja e molës e një violinë mushkonje,
Është orkestra e çdo nate që më fton për gjumë,
Luan enkas për mua koncert me muzikë dhome.

DERA E SHTËPISË SË VJETËR

Nuk e di pse mendtë po më merren,
Nuk e di pse zemra më rreh ngadalë,
Nuk e di pse shpirti trazohet me erën,
Nuk e di se ç’po ndiej ankth apo mall.

Pas kaq vitesh po shoh derën e vjetër,
Derën me plagë të hapura nga mola,
Nuk e di se ç’ka ndodhur me të tjetër,
Se nuk kish asnjë plagë kur unë dola.

E hap trishtë e dëgjoj një kuje të mpirë,
Ca kërcitje vajtuese i la përmbi prag,
Shirat nëpër dimra e goditën pa mëshirë,
Ashtu si dimrat më hapën mua veç plagë.

Erdha për të jetuar sot ca çaste në delir,
Të zgjoja ca ëndrra që këtu më mbetën,
Por këtë derë s’ma hapi nëna ime e mirë,
Dhe mallin-flakë e shuan lotët që u tretën.


PRAGMBRËMJE

Unë zbres ngadalë me muzgun mbi supe,
Ti vjen me ca perëndim të kuq mbi faqe,
Më duhet të largoj krelat e zeza si shkurret,
Që të të jap një puthje aromë manushaqe.

Takohemi këtu ku ndeshen muzgu e dita,
Këtë pragmbrëmje le të shpërthejë ndjenja,
Një mëllenjë klith ankthshëm se iku drita,
Kurse ti psherëtin ëmbël,se s’je si mëllenja.

Le të ikë drita pas kësaj lufte me muzgun,
Le të ndriçojë larg-larg,në të tjera horizonte,
Mos ki frikë,s’jam muzg të largoj të bukurën,
Të përqafuar,si përherë,do të jemi edhe sonte.


STINË DASHURISHË

Të të kapja,ty,për dore
Ish gabim,a gabim s’ish?
Jo,jo,jo s’është mizore,
S’është gabim…Stinë dashurishë!


Flokët të t’i përkëdhelja,
Ish ëndërr,a ëndërr s’ish?
Shih si puthet luledelja
Në lëndinë…Stinë dashurishë!

Të të mbështesja në gjoks,
Mos është çast lemerishë?
Jo ,jo mbaji mendtë në kokë,
S’është rrezik…
Stinë dashurishë!

Të të puthja lehtë në buzë,
Mos do thonë bota u prish?
Jo! Dëgjo ç’thotë një muzë:
Puthe,puthe…

Stinë dashurishë!…
Kështu ndodhi këtë stinë,
Nën një arrë me gjethe ëndrre,
Hodhëm ne mbi dashurinë
Parfum arre,parfum mëndre.

GOTA E JETËS

Nuk e di kur linda,me se u mbush gota,
Në dhomën pa tavan me mure të nxirë,
Nuk besoj me ujë,se kish pllakosur bora,
Thonë,e mbushi me lotë nëna ime e mirë.

Këta lotë më shoqëruan gjatë jetës sime
Ashtu siç shoqëruan edhe atë si tërkuzë,
Jet’ e saj e jeta ime,një gotë me hidhërime,
Tek unë kripa e lotëve,në shpirt e në buzë.

Por nëna iku përgjithmonë,ndjesë pastë!
Dhe në gotën e jetës sime lot’i saj u shter,
Bosh s’mund ta lija gotën,ndaj në çdo rast,
E mbush me lotin tim që derdh mbi mermer.

Po dhe mua lotët më shterën,ende pa shkuar,
Bosh ka mbetur gota nga lotët ikur në arrati,
Dhe uji i zotit tani është bërë avull i avulluar,
Ndaj unë,si boshi,pres fundin tim në vetmi.


DHURATË

Nëse më kërkon një dhuratë,
për takimin tonë të parë,
ndjemë,se nuk kam ç’të të falë.
(Nuk gjeta dot një trëndafil të bardhë).

Por,do të nis drejt zemrës sate
gjithë dritën e netëve të mia.
Po deshe,edhe tërë muzgjet e ditëve të mia.
Nuk e di ç’do të ndodh me ty:
do të qeshësh?
apo do të qash?…si fëmija…


TI NUK JE ROMA

Të gjitha rrugët më sjellin te ti,
Edhe pse e di që ti nuk je Roma,
Me rrugë të gurta plot me ushtri,
Ti je vetëm ti,me hire të njoma.

Dhe unë s’jam romaku me shpatë,
S’jam ushtari me helmetë në kokë,
Jam një adhurues i bukurisë sate,
Që më të bukur e bënë këtë tokë.

Ushtari Romën e gjente kaq lehtë,
Qesari e Oktaviani e vinin në rresht,
Unë duhet të njoh çdo rrugë e shteg,
Që të mbërrij te ti si ushtar i thjeshtë.

Të them një fjalë e të pres një fjalë,
S’e di ç’vlerë ka fjala ime këtë çast,
Por e di që fjala jote ka vlerë të rrallë.
A do ta thuash,nëse unë dot nuk flas?

Të gjitha rrugët mua më sjellin te ti,
Edhe pse e di mirë që ti s’je Roma,
Mos më bëj të jem një ushtar fatzi,
Thuama një fjalë,moj mike,thoma!


KËRKESAT E MIA

Kërkova gjthçkanë,më dhanë asgjënë,
Kërkova bukurinë,më dhanë shëmtirën,
Kërkova qiell,s’më dhanë një gisht vend,
Kërkova lëndinën,më dhanë shkretëtirën.

Kërkova rrugën,por më dhanë dredhën,
Kërkova pushim,më dhanë urdhër “ec!”,
Kërkova të dalë,por më mbyllën derën,
Kërkova fatin,ma dhanë shudhmemec.

Kërkova Zotin,por më dhanë Satananë,
Kërkova parajsën,falas më dhanë ferrin,
Kërkova të flas,”hesht,hesht!” më thanë,
Kërkova paqen,falas më dhanë tmerrin

Të pëlqeu? Shpërndaje me miqtë

Shpërndaje në FacebookDërgoje në WhatsApp
Ende pa komente

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet.